Si të negocioni pagën pas marrjes së ofertës

Si të negocioni pagën pas marrjes së ofertës?

Negocimi i pagës është gjithmonë një nga pikat kryesore të procesit të kërkimit të punës. Shpeshherë negocimi i pagës mund të ndikojë negativisht tek punëkërkuesi, duke u shndërruar edhe në një çështje stresuese.

Në përgjithësi, procesi i negocimit të pagës është shumë i rëndësishëm për çdo punëkërkues dhe po aq i rëndësishëm edhe për punëdhënësin. Në mënyrë që negociata e pagës të mos ndikojë negativisht në ndërprerjen e një mundësie të re në karrierën tuaj, stafi i @AlbaniaJobs ju sugjeron të ndiqni këshillat e përgatitura nga ekspertët tanë të Burimeve Njerëzore, në mënyrë që të arrini një ofertë page të dëshirueshme.

1. Sa duhet të jenë pritshmëritë e mia për pagën?

Shpesh shumë kandidatë e humbasin mundësinë e një eksperience të re profesionale përshkak të pritshmërive të larta që kanë për pagën. Për të qënë realist në pritshmëritë që keni mbi pagën dhe për të mos humbur një mundësi avancimi në karrierë, së pari duhet të hulumtoni pagat që janë në treg, të cilat lidhen me profilin tuaj. Së dyti, duhet të keni parasysh edhe vlerën profesionale që shton tek ju arsimi, licencat, certifikatat dhe vitet e eksperiencës. Së treti, ndikues mund të jenë edhe faktorë të tjerë jo profesional si përshembull vendndodhja e kompanisë, kostot e transportit etj.

2. Kur duhet të negocioni për një ofertë page?

Koha është çelësi i suksesit. Nëse negocioni pa kaluar ende fazat e intervistimit mund të ngjani egoist në sytë e rekrutuesit. Nga ana tjetër, negocimi i pagës pasi të keni filluar punë mund të jetë tepër vonë. Momenti i duhur për të nisur negociatat është pikërisht atëherë kur ju njoftoheni se jeni përzgjedhur fitues për pozicionin për të cilin keni aplikuar.

Fakti që jeni përzgjedhur do të nënkuptonte që ju jeni zgjedhja e parë në një numër të pafundëm aplikantësh. Ky fakt mund të jetë në favorin tuaj për të negociuar me sukses.

3. A mund të negocioj pagën, ende pa fituar?

Sikurse cituam, momenti më i mirë për të negociuar pagën është pikërisht atëherë kur ju rezultoni fitues. Megjithatë ekziston një mundësi kohore kur ju mund të negocioni për një vend pune, ende pa e fituar atë. Një nga pyetjet më të shpeshta gjatë intervistave të punës është “Sa janë pritshmëritë mbi pagën?”. Një përgjigje e zgjuar do të ishte citimi i një intervali pagash (me minimum dhe maksimum), duke marrë parasysh këshillat e pikës 1.

4. Vlerësimi i ofertës

Në vlerësimin e ofertës merrni parasysh jo vetëm pagesën bazë që ju ofrohet nga punëdhënësi i ardhshëm, por edhe elementë të tjerë si emri i kompanisë në treg, avancimi në karrierë, bonuset e performancës, pushimet vjetore, festat zyrtare, sigurimin/kompensimin e transportit, dietën ushqimore, trajnimet, sigurimin shëndetësor etj.

Nëse ka një afat kohor për të marrë një vendim është në rregull të kërkoni disa ditë kohë për të menduar dhe diskutuar me familjen dhe miqtë tuaj.

5. Kundër-oferta juaj

Një kundër-ofertë bëhet nga kandidati në përgjigje të ofertës nga punëdhënësi. Punëkërkuesit shpesh bëjnë kundër-oferta kur mendojnë se paga e propozuar nuk e plotëson nivelin e përvojës ose vlerat që ofron tregu për profilin e tyre. Një kundër-ofertë nuk duhet të shihet si “unë” kundër “atyre” por si një proces bashkëpunues ku  qëllimi kryesor është të arrihet një marrëveshje dhe të dyja palët të jenë të kënaqura.

6. Kur duhet ta pranoj ofertën?

Do të vijë një pikë në negociata, ku punëdhënësi nuk ka mundësi të ofrojë më shumë për të  përmbushur nevojat tuaja. Nëse e dëshironi vërtet punën, mund t’ju duhet të pranoni më pak se sa prisnit dhe të arrini një marrëveshje me punëdhënësin.

7. Kur duhet të refuzoj?

Qëllimi i çdo negocimi është të arrihet një marrëveshje që është e arsyeshme për të dyja palët. Por nëse nevojat tuaja nuk u plotësuan gjatë negociatave të pagave është në rregull edhe nëse ju e refuzoni ofertën me dashamirësi. Ekziston një probabilitet i lartë që ju të bëheni një punonjës i pakënaqur dhe i paangazhuar nëse pranoni një ofertë që nuk i plotëson nevojat tuaja.