6 Pyetje që mund t’i bëni një intervistuesi
Në përfundim të intervistës një nga pyetjet më të shpeshta që i drejtohet një punëkërkuesi është “A keni ndonjë pyetje për të bërë?”. Shpesh kandidati për arsye nga më të ndryshmet zgjedh të përgjigjet me Jo. Përgjigja “Jo” mund të mos jetë alternativa më e mirë. Në vijim parashtrohen 6 pyetje të cilat mund ti bëni një rekrutuesi gjatë një interviste.
#1: A ka diversitet në detyrat e profilit apo janë të pandryshueshme?
Me anë të kësaj pyetje, ju do të arrini të kuptoni nëse gjatë kohës detyrat e profilit do të shtohen, do të ndryshojnë apo është një pozicion me detyra stabël. Për një kandidat i cili nuk preferon rutinën, ky do të ishte momenti më i mirë për të mësuar më shumë rreth përditshmërisë që e pret në vendin e ardhshëm të punës.
#2: Çfarë karakteristikash kërkoni te punonjësit për të përfaqësuar vlerat e kompanisë?
Duke drejtuar këtë pyetje ju do të mund të zbuloni më shumë rreth vlerave dhe kulturës së punës në kompani. Mund të jetë një pasqyrë e përgjithshme nga ana e rekrutuesit për kompaninë ama ju do të arrini të kuptoni se çfarë vlerëson ajo tek individët që punojnë atje.
#3: Si e matni performancën e këtij pozicioni?
Është e rëndësishme të dini paraprakisht se si një kompani e mat suksesin, se cilët janë treguesit kryesorë të performancës (KPI) dhe sa shpesh maten ato.
#4: A ka mundësi për zhvillim profesional?
Kur bëni këtë pyetje ju do të mësoni nëse kompania ka mundësi për rritje dhe nëse ndjek një program trajnimi dhe zhvillimi për punonjësit.
#5: Cilët janë bashkëpunëtorët e afërt?
Me anë të kësaj pyetje ju do të mund të kuptoi se sa ndërfunksional është roli. Do të njihni gjithashtu edhe profilet e tjera me të cilët do të bashkëpunoni.
#6: Cilat janë sfidat e këtij pozicioni?
Vlerësimi i sfidave është po aq i rëndësishëm sa edhe elementët e tjerë. Me anë të kësaj pyetje në një farë mënyre do të arrini të kuptoni paraprakisht shkallën e problemeve që do të hasni.