Çfarë ndodh me CV-në tuaj pasi aplikoni për një vend pune?

Ju ka ndodhur që të keni dërguar Cv disa herë në kompani të ndryshme dhe të mos keni marrë asnjë feedback për ecurinë e aplikimit? Nëse po, le të shohim se çfarë ndodh në të vërtetë kur dorëzoni CV-në tuaj për një pozicion vakant pune.

Kush e vlerëson CV-në tuaj?

Punëkërkuesit duhet të dijnë që CV-në tuaj mund ta shqyrtojë një Menaxher i Burimeve Njerëzore, një Specialist i departamentit të Burimeve Njerëzore ose ndoshta një Software. Të gjitha këto burime e skanojnë CV-në tuaj si fituese ose jo, duke u bazuar në aftësitë që lidhen me profilin e punës. Duke u nisur nga ky fakt, çdo punëkërkues duhet të shikojë a i përmbush të gjitha kërkesat apo zotëron aftësitë profesionale që pozicioni kërkon.

Si bëhet skanimi i CV-së?

Pasi një departament i Burimeve Njerëzore merr Cv-në tuaj realizohet skanimi i saj duke u bazuar tek aftësitë profesionale dhe përmbledhja. Për të rritur shanset që CV juaj të përzgjidhet ndër qindra aplikime duhet detyrimisht të shtoni aftësitë profesionale që zotëroni lidhur me pozicionin që po aplikoni. Gjithashtu bëni një përmbledhje sa më koncize të përbërë nga 2-3 fjali në krye të CV-së tuaj, direkt pas të dhënave personale. Përmbledhja duhet të përfshijë informacione se kush jeni, ku dëshironi të arrini, çfarë aftësish keni etj. Shtimi i këtyre dy elementëve do të tërheqë “vëmendjen” e personit që po shqyrton CV-në tuaj apo të sistemit që bën përzgjedhje.

Pasuroni profilin tuaj në LinkedIn

Pas aplikimit për një vend pune, CV juaj do të analizohet nga Menaxheri i Burimeve Njerëzore. Pas kësaj, mund të kërkojë për ju në LinkedIn ose në rrjetet e tjera sociale. Eshtë e këshillueshme që profili juaj në Linkedin të pasqyrojë CV tuaj dhe rrjetet e tjera sociale të jenë private.

Mos neglizho telefonatat që të vijnë

Supozojmë që menaxheri përzgjedh CV-në  tuaj dhe do të kërkojë që të zhvillojë një intervistë me ju. Pas kësaj punonjës të kompanisë mund t’ju komunikojnë nga telefoni ose emaili për përzgjedhjen. Kështu që duhet të shikoni vazhdimisht emailin tuaj dhe ti përgjigjeni çdo thirrje telefonike që vjen në numrin tuaj. Nëse humbisni një thirrje është e këshillueshme, ta telefoni vet më pas.

Merr informacion për kompaninë

Nëse jeni përzgjedhur për intervistë sigurohuni të keni informacione për kompaninë ku do të zhvilloni intervistën. Kjo është një shenjë interesi jo vetëm ndaj pozicionit që keni aplikuar por edhe ndaj kompanisë.

 

Duke ndjekur këto këshilla ka gjasa që të jeni më të suksesshëm për tu përzgjedhur në raundin tjetër dhe pse jo ta fitoni pozicionin që aplikuat.